Tuesday, October 3, 2017

Anila Kati, vajza më e bukur e Tiranës, që donin ta “rrëmbenin” djemtë e Kombinatit

Historia e femrës më të bukur të kryeqytetit shqiptar në vitet ’70. Fama pas videoklipit të këngës së Françesk Radit dhe përzgjedhja si imazhi i të parit dokumentar me ngjyra në Shqipëri. Udhëtimi i gjatë nga Tirana në Mançester dhe diploma e marrë në një akademi të famshme si ajo e Firences


nga Leonard VEIZI

Në fillim të viteve ‘70 ajo nuk guxonte të dilte rrugëve të Tiranës. Ishte aq e bukur, sa shumica absolute e meshkujve që e shihnin për herë të parë binin në dashuri me të. Të tjerë, mundoheshin vazhdimisht t’i binin në sy, veshur me xhinse ekstravagante e baseta poshtë veshit. Tentativat për të qenë nën shoqërinë e saj ishin marramendëse, dhe atëherë kur ajo nuk kishte pikë dëshire të njihej me një që zbriste para këmbëve të saj me një biçikletë “Mifa” italiane, apo një tjetër që fryhej mbi një “Moskviç” prodhuar në Rusi. Ndërsa ajo kalonte bri tyre indiferente, e lirë dhe e shpenguar. Nuk ishte më shumë se 15 vjeçe, ndërsa përveç termit kadarejan si: “Vajza më e bukur e Kampit Socialist” apo thënë ndryshe: “Vajza më e bukur e Tiranës”, iu bashkëngjit edhe emri i një personazhi të famshëm të atyre viteve: “Françeska Çimarosa”. Anila Kati, 40 vite më pas, thotë se në të vërtetë, më shumë se përfituese e bukurisë, që natyra ia fali pa kursim, ajo ka qenë një viktimë e saj...

...Tanimë ka përfunduar studimet e mohuara në një nga Akademitë e Artit më prestigjioze të Evropës, në Firence. Por gjithashtu ka marrë edhe një diplomë në një Akademi Britanike. Gjithnjë në stilin e saj, pikturë e dizajnë, një ëndërr që e kishte filluar në Liceun Artistik të Tiranës, por që nuk e vazhdoi dot për shkak të një persekutimi të gjatë që pësoi familja e saj dhe ajo vetë.

Rikthimi
Në Tiranë vjen gjithmonë, por vetëm për pak ditë, pasi rezidenca e saj ndodhet shumë larg, në Angli. Në adresën e saj elektronike dhe në dokumentet e xhepit tanimë shkruhet: “Manchester, United Kingdom”. Do të kapërcente La Manshin, për të shkuar në ishullin verior të Evropës pasi jetoi për 14 vite me radhë në Italinë fqinje. Por thotë se sa herë që kthehet në Shqipëri, ndihet e mallëngjyer, sepse në fund të fundit, ky është Atdheu me të mirat dhe të këqijat e tij të përhershme. Vite më parë, atëherë kur jeta ishte liberale por edhe kur u shtrëngua më vonë, pikërisht në rrugët e Tiranës, ajo bënte shëtitjen e radhës, për të shijuar më të veçantën e mundshme, shikime të zjarrta që i vinin ngado dhe fjalë që vazhdimisht i përkëdhelnin sedrën. Por kjo nuk ishte gjithçka.

Familja
Në familjen e Anilës, gjërat nuk shkonin sipas parimit të “partishmërisë proletare”. Por duket se kjo ishte e keqja më e vogël. Ishte gjyshi i saj, Masar Kallajxhi, një agronom me diplomë italiane, por edhe një i dënuar politik i sistemit komunist, njolla e zezë që do të shoqëronte biografinë e nënës së saj, Florës. Por kjo e fundit, një balerinë me nam në Ansamblin e Këngëve dhe Valleve, u martua me një komunist, e rreth të gjerë komunistësh në familje, inxhinierin Vangjel Kati. Dhe me sa dukej, ky i fundit, i verbuar nga dashuria, pranoi ta dorëzonte teserën e kuqe e të largohej edhe nga Partia, si masë ndëshkimore për martesën e tij me një të deklasuar. Me pak fjalë, në gjuhën e kohës kjo cilësohej si “pushkatim politik”. Anila thotë se ajo do të rritej si një vajzë me baba të demaskuar nga Partia dhe nga ana tjetër me një xhaxha që ishte ministër i kabinetit të Mehmet Shehut. Por kjo nuk mund të vazhdonte përjetësisht. Në vitin 1975 Vasil Kati, ish-ministri i tregtisë së Jashtme, një burrë elegant e plot suksese në punën e tij, përfundon në prangat e Sigurimit të Shtetit. Që nga ai çast, jeta për vajzën më të bukur të Tiranës u bë edhe më e vështirë.

Imazhi
Për një kohë të shkurtër ajo ishte imazhi i Televizionit  Publik Shqiptar. Kënga “Adresa” e Françesk Radit, do të shoqërohej në një videoklip, në të cilin Anila Kati shfaqej hipur mbi një biçikletë. Kjo do ta bënte figurën e saj edhe më të njohur në rrugët e kryeqytetit. Ndërsa dokumentari i parë me ngjyra i prodhuar nga Kinostudio “Shqipëria e Re”, titulluar “Shqipëria Turistike” sërish do të kishte protagoniste Anila Katin si dhe disa djem e vajza të tjera, të përzgjedhur nga Liceu Artistik. Në këtë mënyrë ajo do të ishte dhe imazhi i rivierës shqiptare. Ishin ditë plot emocione për një adoleshente që vazhdonte të thurte ëndrrat për të nesërmen. Por deri këtu... Më pas do të vinte zhgënjimi.

Imazhe nga filmi dokumentar “Shqipëria Turistike”
Nga Liceu Artistik tek Mjetet Mësimore
Shtëpia e saj do të ishte në Kombinat apo Lagja 6 e Tiranës siç njihet në atë kohë, pasi i ati, Vangjeli, si inxhinier elektrik i laureuar në Pragë, do të merrej me montimin e sistemit në TEC-in e Kombinatit të Tekstileve “Stalin”. Anila kujton se për shkak të adhuruesve të saj, që e prisnin që tek hyrja e shtëpisë për ta shoqëruar pafundësisht kudo që shkonte, ajo kishte frikë të dilte dhe nga apartamenti. Ngacmimet e djemve të Kombinatit do të ishin të pafundme, ndonjëherë edhe të ashpra, duke e cilësuar vajzën herë si “Françeska Çimarosa” e herë si “Ornela Muti”. Anila thotë se në ato vite thashethemet se do ta rrëmbenin, apo do ta merrnin me forcë kishin vajtur deri në veshët e saj. Kjo ia kishte bërë jetën edhe më të trishtuar. Gjithçka vërtitej rreth të njëjtit mendim: “Çfarë kam bërë se nuk po e kuptoj?!”. Kjo do të vazhdonte derisa familja e saj të transferohej më në afërsi të qendrës së kryeqytetit, tek vendi i quajtur “21 Dhjetori”. Por asgjë nuk do të ndalte, i njëjti persekutim do të vazhdonte edhe në ndërmarrjen e mjeteve mësimore, ku ajo filloi të punonte, pas mosdhënies së të drejtës për të vazhduar studimet e larta. Ndërsa në vitin 1991 gjithçka do të ndryshonte.

E diplomuar në Firence
Në Italinë fqinje, të bukur e të pasur me artin mesjetar, jeta do të rifillonte me një ritëm tjetër. Anila Kati shumë shpejt do të paraqitej në Akademitë e Artit të Firences, për të përmbushur atë që ia kishin mohuar në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë. Ajo thotë se në vitin 1996, mbasi kishte punuar për dy vjet në restaurimin e veprave të artit, vendosi të merrte pjesë në konkursin për të hyrë në Akademinë e Arteve të Bukura në Firence.  E më pas ajo shton: “Konkurrova për 6 ditë me radhë së bashku me konkurrues italianë, francezë, amerikanë, japonezë etj. Pra ishte konkurs ndërkombëtar ndaj dhe sfida ishte e madhe. Pranimi në Akademi ishte gjithashtu nder i madh për mua dhe gëzim. Mund të them që isha shqiptarja e parë që munda të penetroj. Dy-tre vjet më vonë erdhën dhe shqiptarë të tjerë. Brenda Akademisë vlerësoheshe për vlerat artistike personale dhe jo nga cili vend vije. Kjo kishte pak rëndësi. Akademia në programin e saj të studimit kish për qëllim të përgatisë artistë me kulturë të gjerë, pra përkrah punës artistike individuale  dhe kurseve specifike të Vizatimit, Anatomisë, Historisë së Artit, Grafikës, që ishin të detyruara, duhej të ndiqje dhe kurse të tjera fakultative, në rastin tim ishte Mass-Media, Fotografia, Restaurim, Dizajn, Pedagogji e Filozofi Arti. Pra pjekuria artistike ishte maksimale dhe e gjithanshme. Pas 6 vite studimi dhe jetë brenda Akademisë, në 2002 u diplomova me “110 e Lode” dhe m’u dha mundësia të ekspozoj punët e mija në B.Z.F., një qendër e rëndësishme kulturave historike për artin. Vijuan ekspozita personale e kolektive. Folën gazetat e televizionet. Deri në 2006 vazhdova të jem aktive dhe në kuadrin e vëllazërimit të Firences me Tiranën. Pra në rastin tim nuk kam pasur arsye të ndjehesha e huaj. Vetëm dashuria e madhe për artin shkriu diferencat”.

Jeta artistike mes publikut shqiptar dhe atij anglez
Kontaktin me publikun e ka filluar që në vitin 1991 kur sapo kishte mbërritur në Itali. Ajo thotë se ngazëllimi i popullit italian për artin e ka inkurajuar të sjellë më të mirën e vetes së saj, duke e zgjuar nga një letargji shpirtërore që zgjati prej të paktën 15 vitesh me radhë, nga viti 1975 deri në vitin 1990. Të gjitha këto vite të humbura për shkak të persekutimit politik që ushtroi mbi të regjimi i asaj kohe. “Eksperiencën time nuk mund ta lija pa e sjellë në Tiranë. Dhe kjo filloi qysh në vitin 2005 ku ekspozova për herë të parë në Muzeun Historik Kombëtar, në një kolektiv me artistë të tjerë shqiptar. Më pas e fundit ka qenë ekspozita personale në “Expo 2012” ku m’u dha mundësia të shpalosja me gjerë krijimtarinë time dhe kjo nuk ish vetëm detyrë e imja por dhe gëzim. Sigurisht unë vazhdoj punën time krijuese në një vend tjetër siç është Anglia, që i shtoi bagazhit tim artistik elementë të rinj siç është “Visual Comunication e 3 Dimensional” për të cilat m’u desh të ndiqja dy kurse specializimi. Kjo u shoqërua me dy ekspozita të cilat më prezantuan me publikun anglez”, thotë Anila Kati, duke rrëfyer jetën e saj artistike, këtej dhe andej kontinentit. 


Botuar ne gazetën SHEKULLI më 24. 08. 2013


No comments:

Post a Comment